Ku jemi tani: Në pritje të konfirmimit nga KQZ-ja Shiko procesin

Deklaratë publike · 7 Gusht 2026

Natyra nuk shitet, mbrohet, trashegohet!

Nisma qytetare për referendum kërkon shfuqizimin e Ligjit nr. 21/2024 dhe rikthimin e vendimit për zonat e mbrojtura te qytetarët e Shqipërisë.

12nismëtarë 50.000firma të vlefshme 1vendim qytetar
Flamingo Revolution, me flamingon mbi peizazhin shqiptar
Faza02Në KQZ

Për një referendum qytetar mbi shfuqizimin e Ligjit nr. 21/2024

Ne, qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, kemi nisur procedurën kushtetuese për t'u kërkuar qytetarëve shqiptarë të vendosin mbi të ardhmen e zonave të mbrojtura.

Në bazë të nenit 150 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ne, një grup nismëtarësh të kësaj nisme, i jemi drejtuar zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) me kërkesën për fillimin e procedurave ligjore për zhvillimin e një referendumi kombëtar për shfuqizimin e Ligjit nr. 21/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 81/2017, ‘Për zonat e mbrojtura’”. Qëllimi ynë është që mbi të ardhmen e zonave të mbrojtura të vendosin vetë qytetarët shqiptarë.

Ligji nr. 21/2024 ndryshoi kuadrin ligjor të vitit 2017 dhe hapi rrugën për projekte turistike e infrastrukturore brenda zonave të mbrojtura, me miratim të Këshillit të Ministrave — territore që deri në miratimin e këtyre ndryshimeve gëzonin mbrojtje ligjore pothuajse absolute. Pasojat janë të pakthyeshme: rrezikohen habitate, specie dhe peizazhe natyrore që përbëjnë pasuri të patjetërsueshme të kombit shqiptar dhe të brezave të ardhshëm. Për ne, kjo çështje nuk është as teknike dhe as e largët: ajo prek tokën publike, biodiversitetin, ekonominë vendore dhe të drejtën e brezave që vijnë për të trashëguar pasuritë natyrore të vendit.

Ne e mbështesim zhvillimin ekonomik që respekton shkencën, ligjin dhe komunitetet. Por zhvillimi nuk mund të përdoret për të dobësuar mbrojtjen e vendeve të shpallura të pazëvendësueshme. Një zonë e mbrojtur e humbet kuptimin e saj kur përjashtimet bëhen rregull dhe kontrolli mjedisor vjen pas vendimeve të zhvillimit. Analiza dokumentare që mbështet këtë nismë evidenton gjithashtu një hendek serioz transparence në vendimmarrjen territoriale dhe në publikimin e vlerësimeve të ndikimit në mjedis. Këto të dhëna nuk zëvendësojnë hetimin administrativ ose gjyqësor; ato kërkojnë përgjigje publike, dokumente të plota dhe kontroll demokratik.

Kur një vendim prek pasurinë që u përket të gjithëve, qytetarët duhet të kenë mjetin për të thënë fjalën e tyre.

Në kushtet kur Kuvendi i Shqipërisë, fillimisht përmes miratimit të ndryshimeve dhe sot përmes mosveprimit, nuk i ka shfuqizuar ato as në kuadër të detyrimeve që burojnë nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, dhe kur as Gjykata Kushtetuese nuk e ka rikthyer mbrojtjen e mëparshme, përgjegjësia për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe të vetë procesit të integrimit i mbetet sot qytetarëve. Besojmë se referendumi është mjeti i vetëm ligjor i mbetur në dispozicion të tyre.

Kjo nismë është qytetare, e pavarur dhe jopartiake. Ajo nuk do të përdoret për krijimin, mbështetjen apo promovimin e një subjekti politik. Qëllimi i saj është i qartë dhe i kufizuar: të çojë deri në fund procedurën e referendumit për shfuqizimin e Ligjit nr. 21/2024.

Depozitimi i kërkesës pranë KQZ-së ka përfunduar dhe jemi në pritje të konfirmimit. Mbledhja e 50.000 firmave të vlefshme nuk ka nisur ende dhe do të fillojë vetëm pasi KQZ-ja të miratojë kërkesën dhe të vërë në dispozicion fletët-tip zyrtare. Deri atëherë po ndërtojmë rrjetin e vullnetarëve, koordinimin vendor dhe transparencën publike të nismës. Ftojmë të gjithë qytetarët shqiptarë, organizatat mjedisore, shoqërinë civile dhe çdo aktor të interesuar ta mbështesin këtë nismë, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Kodin Zgjedhor.

Grupi nismëtar

Ku jemi tani?

Ku jemi tani?

Gjendja aktuale 02

Në pritje të konfirmimit nga KQZ-ja

Kërkesa është depozituar. Mbledhja e firmave do të nisë vetëm pasi KQZ-ja të konfirmojë kërkesën dhe të miratojë fletët-tip zyrtare.

  1. 01
    Grupi nismëtarTë paktën 12 zgjedhës të regjistruar
  2. 02
    Depozitimi në KQZKërkesa është depozituar · në pritje të konfirmimit
  3. 03
    50.000+ firmaNuk ka nisur ende · fillon pas konfirmimit nga KQZ-ja
  4. 04
    Verifikimi nga KQZKontrolli i nënshkrimeve dhe dokumenteve
  5. 05
    Gjykata KushtetueseKontrolli i objektit të referendumit
  6. 06
    Dekreti i PresidentitCaktimi i datës së referendumit
  7. 07
    Votimi dhe rezultatiVendimi i qytetarëve

Nëse dëshironi të bëheni vullnetarë në mbledhjen e 50.000 firmave, angazhohuni këtu.

Angazhohu