Ku jemi tani: Në pritje të konfirmimit nga KQZ-ja Shiko procesin
← Kthehu në faqen kryesore

Analizë e dokumentuar · 7 gusht 2026

Pse duhet referendum për Ligjin 21/2024

Katër arsye të dokumentuara për shfuqizimin me votë popullore të ligjit që hapi ndërtimin në zonat e mbrojtura — versioni 2

Përmbledhje ekzekutive

Ligji nr. 21/2024 ndryshoi ligjin nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”. Ai hoqi ndalimet pothuajse absolute të ndërtimit brenda zonave të mbrojtura dhe ia kaloi vendimin dy organeve që drejtohen nga i njëjti person: Këshillit të Ministrave dhe Këshillit Kombëtar të Territorit.

Në datën 31 korrik 2025, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi kërkesën e 37 deputetëve për shfuqizimin e këtij ligji. Rruga gjyqësore u mbyll. Mbetet neni 150 i Kushtetutës: 50 000 zgjedhës kanë të drejtë të kërkojnë referendum për shfuqizimin e një ligji.

Ky dokument parashtron katër arsye, secila e dokumentuar me burime zyrtare.

Të dhjetë vendimet e Këshillit të Ministrave të 25 shtatorit 2024 (VKM 589–598) rishpallën 81 916,68 hektarë — rreth 819 km², ose 2,85% e territorit të Republikës — në kategorinë V të IUCN-së, një prej kategorive më lejuese të mbrojtjes. Të paktën katër prej tyre janë ulje kategorie nga një nivel më i lartë mbrojtjeje.

Hyrje: pse pikërisht referendum

Çfarë ndryshoi ligji 21/2024

Ligji nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura” vendoste ndalime pothuajse absolute për ndërtimin brenda zonave të mbrojtura. Ligji nr. 21/2024, i miratuar nga Kuvendi më 22 shkurt 2024 dhe i botuar në Fletoren Zyrtare nr. 50, datë 20 mars 2024, e ndryshoi këtë arkitekturë në pesë drejtime.

Së pari, futi “turizmin e ekselencës” dhe agroturizmin si veprimtari të lejuara në kategoritë II, III, IV dhe V të zonave të mbrojtura, bashkë me “infrastrukturën mbështetëse” për to.

Së dyti, shfuqizoi nenin 13 të ligjit bazë, “Ndarja në nënzona e territorit të zonës së mbrojtur kombëtare”. Me heqjen e nënzonave bie edhe kufiri hapësinor që ndalonte ndërtimin në pjesën më të ndjeshme të një zone — “zona qendrore”, ku veprimtaria njerëzore duhej të ishte minimale dhe e përkohshme.

Së treti, riformuloi nenin 33 “Veprimtaritë e lejuara në zonat e mbrojtura”, duke përcaktuar se zonat e mbrojtura shpallen me vendim të Këshillit të Ministrave, në të cilin përcaktohen njëkohësisht edhe veprimtaritë e lejuara në to.

Së katërti, shtoi nenin 36/1 “Ndryshimi i elementeve tekniko-formale”, i cili mundëson ndryshimin e zonimit dhe të tipologjive të veprimtarive të lejuara e të ndaluara pa kaluar sërish nëpër procedurën e plotë të rishpalljes.

Së pesti, zgjeroi rolin e Këshillit Kombëtar të Territorit në përcaktimin e standardeve teknike dhe të rregullave të infrastrukturës brenda këtyre zonave.

Rruga gjyqësore është shteruar

Më 1 nëntor 2024, një grup prej 37 deputetësh i kërkoi Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e ligjit 21/2024 si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara. Në gjykim u thirrën si subjekte të interesuara edhe Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë dhe Qendra për Ruajtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri (Eco Albania).

Me vendimin nr. 45, datë 31 korrik 2025, Gjykata e rrëzoi kërkesën. Vendimi u shpall më 31 tetor 2025. Ndarja ishte e ngushtë dhe në disa pretendime Gjykata nuk arriti as shumicën e kërkuar prej pesë gjyqtarësh: për pretendimin e nenit 82 të Kushtetutës, katër gjyqtarë votuan në një qëndrim dhe katër në tjetrin, dhe pretendimi u konsiderua i rrëzuar thjesht ngaqë shumica nuk u formua. Tre gjyqtarë — Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji dhe Ilir Toska — botuan mendim pakice, ku shkruajnë se ligji duhej shfuqizuar.

Dy konstatime të këtij vendimi janë vendimtare për argumentin e referendumit.

Gjykata nuk e shqyrtoi fare përqendrimin e kompetencave. Në paragrafin 43 të vendimit ajo shprehet se pretendimi për “përplasje mes normave ligjore në fuqi referuar kompetencave të KKT-së” nuk hyn në juridiksionin kushtetues, sepse “mënyra e të kuptuarit, e të zbatuarit të ligjit dhe harmonizimit ndërmjet dispozitave të tij me ligje të tjera nuk janë çështje që i përkasin kontrollit kushtetues”.

Pra pikërisht problemi që trajton Arsyeja 1 e këtij dokumenti mbeti i pashqyrtuar — jo sepse u gjykua i pabazuar, por sepse asnjë gjykatë nuk e shqyrton dot.

Konstatimi i dytë është faktik: vendimi konfirmon zyrtarisht se ligji 21/2024 shfuqizoi nenin 13 të ligjit bazë. Kjo shpjegon pse VKM-të e reja nuk përmbajnë më nënzona mbrojtjeje — baza ligjore për to u hoq nga vetë ligji.

Baza kushtetuese e referendumit

Neni 150 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikon se populli, nëpërmjet 50 000 shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji.

Neni 151, pika 2, përcakton çështjet që nuk mund të shtrohen për referendum: integriteti territorial, kufizimi i lirive dhe i të drejtave themelore të njeriut, buxheti, taksat dhe detyrimet financiare të shtetit, vendosja dhe heqja e gjendjes së jashtëzakonshme, shpallja e luftës dhe e paqes, dhe amnistia. Mbrojtja e mjedisit nuk bën pjesë në asnjë prej këtyre përjashtimeve. Ligji 21/2024 është pikërisht lloji i ligjit që referendumi shfuqizues është krijuar për të kontrolluar.

Sipas nenit 152, Gjykata Kushtetuese shqyrton paraprakisht kushtetutshmërinë e kërkesës për referendum — jo kushtetutshmërinë e ligjit objekt referendumi. Kjo do të thotë se vendimi nr. 45 i 31 korrikut 2025 nuk përbën pengesë procedurale për një nismë referendumi.

Arsyeja 1 — Një person, dy institucione, i gjithë zinxhiri

Pretendimi

Ligji 21/2024 e ndau vendimin për ndërtimin në zonat e mbrojtura në dy hapa dhe ia besoi secilin hap një organi të ndryshëm. Por të dy organet drejtohen nga i njëjti person. Rezultati është se i gjithë zinxhiri — nga përcaktimi i asaj që mbrohet deri te leja për të ndërtuar mbi të — kalon nëpër një pikë të vetme vendimmarrëse.

Hapi i parë: Këshilli i Ministrave përcakton çfarë lejohet

Neni 33 i ligjit 81/2017, siç u zëvendësua nga ligji 21/2024, përcakton se zonat e mbrojtura shpallen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe se në po atë vendim përcaktohen veprimtaritë e lejuara në to.

Kjo do të thotë se një zonë e mbrojtur nuk ka më një regjim mbrojtjeje të përcaktuar nga ligji. Regjimi përcaktohet rast pas rasti, me VKM. Neni i ri 36/1 shkon më tej: lejon ndryshimin e zonimit dhe të tipologjive të veprimtarive të lejuara e të ndaluara si “elemente tekniko-formale”, pa kaluar nëpër procedurën e plotë të rishpalljes.

Këshilli i Ministrave kryesohet nga Kryeministri (neni 100 i Kushtetutës).

Hapi i dytë: KKT jep lejen

Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), sot Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU), është organi që miraton lejet e zhvillimit dhe të ndërtimit për çështjet në kompetencë të tij dhe që “përcakton rëndësinë kombëtare të një çështjeje, zone ose objekti”.

Ligji nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, neni 3, pika 13, e përkufizon atë kështu:

“Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT)” është organ kolegjial që funksionon pranë Këshillit të Ministrave dhe kryesohet nga Kryeministri.

Sekretariati teknik i tij është Agjencia e Zhvillimit të Territorit.

Rrjedhoja

Kryeministri kryeson organin që vendos se çfarë mbrohet dhe çfarë lejohet brenda një zone të mbrojtur (Këshilli i Ministrave, nëpërmjet VKM-së).

Kryeministri kryeson gjithashtu organin që vendos kush ndërton konkretisht atje (KKT/KKTU).

Nëse regjimi i një zone pengon një projekt, i njëjti person mund ta ndryshojë regjimin me VKM dhe pastaj ta miratojë projektin me vendim të KKT-së. Nuk ka asnjë organ të pavarur në mes.

Ky nuk është skenar teorik. Në seksionin vijues dokumentohet një rast ku të dy proceset ecën literalisht në të njëjtën ditë.

Prova e parë: dhjetë VKM në një ditë të vetme

Shtatë muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit 21/2024, më 25 shtator 2024, Këshilli i Ministrave miratoi njëherësh dhjetë vendime — VKM 589 deri 598 — që rishpallën dhjetë zona të mbrojtura në kategorinë V të IUCN-së, “Peizazh i mbrojtur” ose “Peizazh i mbrojtur ujor/tokësor”.

VKM Zona e rishpallur Sipërfaqja (ha)
589 Rrushkull 579,50
590 Kuturman – Qafë-Bushi 4 160,26
591 Guri i Nikës – Valamarë – Lenie 5 172,70
592 Bisht-Kamzë 491,50
593 Lumi i Bunës – Velipojë 19 471,17
594 Bredhi i Drenovës – Sinicë 2 065,80
595 Krastë – Verjon 1 470,10
596 Pishë Poro – Nartë (përfshin Zvërnecin) 16 124,61
597 Liqeni i Pogradecit 27 730,54
598 Bjeshkët e Oroshit 4 650,50
Gjithsej 81 916,68

Kategoria V është ndër kategoritë më lejuese të klasifikimit të IUCN-së. Për të paktën katër nga këto dhjetë zona, rishpallja përbën ulje të nivelit të mbrojtjes, e lexuar drejtpërdrejt nga aktet që secila VKM shfuqizon:

Zona Statusi i mëparshëm Statusi i ri
Bredhi i Drenovës – Sinicë Park Kombëtar (VKM 96, 21.11.1966) Peizazh i mbrojtur (V)
Pishë Poro – Nartë Rezervat natyror i menaxhuar (kategoria IV) Peizazh i mbrojtur (V)
Liqeni i Pogradecit Peizazh i mbrojtur, VKM 80, 18.2.1999 (akt i përbashkët me Parkun Kombëtar të Prespës) Peizazh i mbrojtur (V)
Bjeshkët e Oroshit Rezervat i resurseve (kategoria VI, VKM 102, 15.1.1996) Peizazh i mbrojtur (V)
Guri i Nikës – Valamarë – Lenie Rezervat i resurseve (kategoria VI, VKM 102, 15.1.1996) Peizazh i mbrojtur (V)

Te VKM 596 për Pishë Poro–Nartë, teksti i vendimit thotë shprehimisht se akti i mëparshëm që e kishte shpallur zonën “Rezervat natyror i menaxhuar” (kategoria IV) shfuqizohet, dhe zona kalon në “Peizazh i mbrojtur” (kategoria V). Për më tepër, ky vendim nuk i rimerr nënzonat e mbrojtjes që ekzistonin në aktin e mëparshëm — pasojë e drejtpërdrejtë e shfuqizimit të nenit 13 nga ligji 21/2024.

Prova e dytë: përkimi i datës

Rendet e ditës të KKT-së tregojnë se shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k. e paraqiti kërkesën e saj të parë për një “Resort Turistik” në Zvërnec në rendin e ditës të mbledhjes së 25 shtatorit 2024, pika 19.

Po atë ditë, Këshilli i Ministrave miratoi VKM 596, e cila riformësoi mbrojtjen e asaj zone dhe hoqi nënzonat brenda së cilave ndodhet gadishulli i Zvërnecit.

Dy organet — të kryesuara nga i njëjti person — vepruan mbi të njëjtën zonë në të njëjtën datë.

Çfarë nuk e ka shqyrtuar askush

Ky përqendrim kompetencash nuk është shqyrtuar nga asnjë organ. Kërkuesit para Gjykatës Kushtetuese e ngritën pikërisht këtë pretendim — “përplasje mes normave ligjore në fuqi referuar kompetencave të KKT-së”. Gjykata, në paragrafin 43 të vendimit nr. 45/2025, deklaroi se çështja nuk hyn në juridiksionin kushtetues dhe nuk e mori në shqyrtim.

Kjo është arsyeja pse mjeti i mbetur nuk është gjyqësor, por politik dhe popullor.

Arsyeja 2 — Bashkimi Evropian kërkon shfuqizimin e këtij ligji si kusht anëtarësimi

Pretendimi

Shfuqizimi i ligjit 21/2024 nuk është kërkesë e një grupi mjedisor apo e opozitës. Është kërkesë formale e tre institucioneve të Bashkimit Evropian, e regjistruar në dokumentet zyrtare të procesit të anëtarësimit, dhe e shndërruar në piketë mbyllëse (closing benchmark) të Kapitullit 27 — pra në kusht që duhet plotësuar përpara se ky kapitull i negociatave të mbyllet.

Qeveria është zotuar publikisht se do të “përshtatë” ligjin, por ka deklaruar shprehimisht se nuk do ta shfuqizojë. Kuvendi i mban në sirtar nismat ligjore për shfuqizim. Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar kërkesën.

Pra: kërkesa ekziston, është zyrtare, dhe të gjitha rrugët institucionale për ta përmbushur janë të bllokuara. Mbetet vetëm një.

Çfarë ka konstatuar Komisioni Evropian

Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë 2025 — dokument pune i shërbimeve SWD(2025)0750, i botuar më 4 nëntor 2025 — e trajton ligjin 21/2024 dy herë, dhe të dyja herët me të njëjtin përfundim.

Në pjesën e legjislacionit horizontal:

The 2024 amendments to the Law on protected areas led to unravelling of their protection.

Ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura çuan në shpërbërjen e mbrojtjes së tyre.

Në pjesën e mbrojtjes së natyrës:

The 2024 legislative amendments to the Law on protected areas led to deterioration on nature protection.

Ndryshimet legjislative të vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura çuan në përkeqësim të mbrojtjes së natyrës.

Vlerësimi i përgjithshëm i Kapitullit 27 “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike” në të njëjtin raport është: “Albania has some level of preparation in this area, and it made no progress over the reporting period” — Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje dhe nuk bëri asnjë progres gjatë periudhës raportuese.

I njëjti raport konstaton, në lidhje me Arsyen 3 të këtij dokumenti, se ekziston “poor EIA quality, recommendations rarely implemented or monitored, low public participation in decision-making and limited enforcement” — cilësi e dobët e VNM-ve, rekomandime rrallë të zbatuara ose të monitoruara, pjesëmarrje e ulët e publikut dhe zbatim i kufizuar.

Raporti shton se punimet për resortin e parë të madh turistik në Peizazhin e Mbrojtur Bunë–Velipojë — zonë që ndodhet në listën e vendeve potenciale Natura 2000 në Shqipëri — nisën mes protestave të popullsisë vendase.

Çfarë ka votuar Parlamenti Evropian

17 qershor 2026, në seancë plenare në Strasburg, Parlamenti Evropian miratoi rezolutën mbi Raportin e Komisionit për Shqipërinë 2025.

Akti Rezolutë e Parlamentit Evropian e 17 qershorit 2026
Referenca e tekstit të miratuar P10_TA(2026)0217
Procedura 2025/2250(INI)
Raporti bazë A10-0141/2026, Komisioni për Punët e Jashtme
Raportues Andreas Schieder
Votimi në plenare PV 17/06/2026 – 9.12

Katër paragrafë të kësaj rezolute e prekin drejtpërdrejt ligjin 21/2024.

Paragrafi 45 — standardi

Underlines that progress towards EU accession requires an actual track record of implementation and enforcement of the environmental acquis, notably on environmental assessments, nature protection laws and public participation rights;

Nënvizon se progresi drejt anëtarësimit në BE kërkon një histori reale zbatimi dhe vënieje në jetë të acquis-së mjedisore, veçanërisht për vlerësimet mjedisore, ligjet e mbrojtjes së natyrës dhe të drejtat e pjesëmarrjes së publikut.

Paragrafi 47 — kërkesa për shfuqizim

Ky është paragrafi qendror. Ai lidh në një fjali të vetme ligjin 21/2024, ligjin e investimeve strategjike dhe Këshillin Kombëtar të Territorit:

Deeply regrets the fact that Albania’s 2015 Law on Strategic Investments has been extended, in view of its provisions enabling accelerated permitting procedures and reduced environmental scrutiny, which risk adversely affecting protected areas and other environmentally sensitive zones; calls for the repealing of the 2024 amendments to the Law on Protected Areas, which allow the development of large-scale tourism infrastructure within protected areas and transfer key governance and decision-making competences to the National Council of Territory, thereby weakening environmental oversight;

Shpreh keqardhje të thellë për faktin që ligji shqiptar i vitit 2015 për Investimet Strategjike është zgjatur, duke pasur parasysh dispozitat e tij që mundësojnë procedura të përshpejtuara lejedhënieje dhe shqyrtim të reduktuar mjedisor, të cilat rrezikojnë të prekin negativisht zonat e mbrojtura dhe zona të tjera mjedisore të ndjeshme; kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca kyçe qeverisjeje e vendimmarrjeje te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore.

Ky paragraf i vetëm konfirmon tri nga katër arsyet e këtij dokumenti.

Ai identifikon transferimin e kompetencave te Këshilli Kombëtar i Territorit si mekanizmin që dobëson mbikëqyrjen mjedisore — pikërisht argumenti i Arsyes 1.

Ai identifikon ligjin e investimeve strategjike dhe procedurat e tij të përshpejtuara si rrezik për zonat e mbrojtura — pikërisht argumenti i Arsyes 4.

Dhe ai kërkon shfuqizim — jo ndryshim, jo përshtatje, jo përmirësim.

Paragrafi 48 — direktivat e shkelura

Highlights the fact that the Commission has cautioned Albania against actions that may impact its EU accession path amid ongoing national protests over a large-scale luxury development project that threatens a protected wildlife area home to flamingos, seals and turtle nesting sites; echoes, in this regard, the Commission’s criticism and recalls that alignment with EU environmental rules, including the Birds Directive and the Habitats Directive, is a prerequisite for EU accession;

Paragrafi 49 — moratoriumi dhe Kapitulli 27

Expresses serious concern that ongoing developments within the Vjosa-Narta protected area demonstrate the practical consequences of these legislative changes […]; calls on the Albanian authorities to immediately establish a moratorium on all new permitting procedures, construction works and development interventions within protected areas until the incompatible provisions of the amended Law on Protected Areas have been repealed, on the basis of a long-standing request by the Commission and Parliament and in line with the closing benchmarks of Chapter 27, and until full compliance with EU nature protection standards has been ensured; underlines that any projects in this area need to undergo comprehensive environmental impact assessments fully in line with EU standards, including a transparent public participation process with local communities, scientists and civil society;

Tri elemente të këtij paragrafi kanë peshë juridike-politike:

  • kërkohet moratorium i menjëhershëm për çdo procedurë të re lejedhënieje dhe për punimet në zonat e mbrojtura;
  • moratoriumi zgjat derisa dispozitat e papajtueshme të jenë shfuqizuar;
  • kjo lidhet shprehimisht me piketat mbyllëse të Kapitullit 27.

Nuk është hera e parë

Rezoluta e 17 qershorit 2026 nuk është kërkesa e parë. Një vit më parë, Parlamenti Evropian kishte thënë të njëjtën gjë me fjalë pothuajse identike.

Rezoluta e 9 korrikut 2025 mbi raportet e Komisionit për Shqipërinë 2023 dhe 2024 (P10_TA(2025)0155, procedura 2025/2017(INI)), paragrafi 57:

Expresses serious concern regarding recent amendments to Albania’s Law on Protected Areas that allow large infrastructure and tourism projects in ecologically sensitive zones; calls for these legislative amendments to be reversed with a view to ensuring full and strict compliance with national and international legal frameworks and conservation standards […];

Pra kërkesa është e përsëritur, në dy rezoluta radhazi, në dy vite radhazi.

Në të njëjtën rezolutë të vitit 2025, paragrafi 56, Parlamenti Evropian i kishte kërkuar Komisionit ta trajtonte ndërtimin e aeroportit të Vlorës brenda Zonës së Mbrojtur Vjosë–Nartë “në shkelje të normave kombëtare dhe ndërkombëtare të mbrojtjes së biodiversitetit” — pikërisht në Kapitullin 27 të negociatave.

Kërkesa nuk vjen vetëm nga BE-ja

Organizmi Qëndrimi
Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës Kërkoi në dhjetor 2023 dhe përsëri në dhjetor 2024 pezullimin e punimeve të aeroportit të Vlorës brenda Pishë Poro–Nartës derisa të kryhet një procedurë e re dhe e mjaftueshme VNM-je. Punimet vijuan.
IUCN (Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës) Ka kërkuar që Shqipëria të rishikojë ligjin që dobëson mbrojtjen e parqeve kombëtare.
Organizatat mjedisore vendase PPNEA, EcoAlbania e të tjera kanë bojkotuar proceset e konsultimit të Ministrisë së Mjedisit derisa ndryshimet e ligjit të shfuqizohen.

Konventa e Bernës është marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar. Sipas nenit 122 të Kushtetutës, një marrëveshje e tillë ka epërsi mbi ligjet e vendit kur nuk pajtohen me të.

Piketa mbyllëse: çfarë do të thotë konkretisht

Që nga shtatori 2025, shfuqizimi i ndryshimeve të vitit 2024 është një nga objektivat e piketave mbyllëse (closing benchmarks) të Kapitullit 27 — pra kusht formal që duhet plotësuar përpara se kapitulli i mjedisit të mund të mbyllet.

Kjo e nxjerr çështjen nga fusha e debatit politik të brendshëm. Për sa kohë ligji 21/2024 mbetet në fuqi në formën e tij aktuale, Kapitulli 27 nuk mbyllet dot. Dhe pa mbyllur të gjitha kapitujt, nuk ka anëtarësim.

14 korrik 2026, në konferencën për shtyp pas Konferencës së IX Ndërqeveritare Shqipëri–BE në Bruksel — ku u zyrtarizua mbyllja e tre kapitujve të tjerë negociues — Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos u pyet nëse protestat mjedisore do të ndikonin në integrimin e Shqipërisë. Përgjigjja e saj:

“Mbrojtja mjedisore është pjesë e kritereve të anëtarësimit në BE, kritere shumë të rëndësishme, dhe aktualisht ka një sërë ligjesh që duhen ndryshuar për të përmbushur këtë kriter.”

“Po edhe përpara se të nisnin këto protesta, kishim rënë dakord me Shqipërinë që gjatë këtij viti do të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 të ligjit për Zonat e Mbrojtura.”

Domethënë: shfuqizimi nuk ishte as kërkesë e re, as pasojë e protestave. Ai ishte detyrim i pranuar nga vetë qeveria shqiptare përpara se protestat të nisnin.

Përgjigjja e qeverisë: “nuk ka çfarë të shfuqizohet”

Në po atë konferencë, në praninë e Komisioneres, Kryeministri Edi Rama e ndau përgjigjen në dy pjesë:

“Shfuqizimi nënkupton anulim dhe ligji për Investimet Strategjike do të shfuqizohet dhe anulohet, ndërkohë që ligji për Zonat e Mbrojtura, që është një nga ligjet më të mira që kemi, do të përshtatet derisa të arrijë 100% standardet europiane.”

Në raportimin në gjuhën angleze të së njëjtës konferencë, formulimi është edhe më i drejtpërdrejtë:

“As for the other law, there is nothing to repeal, even though a European Parliament resolution called for it, but we must address the legislation in accordance with all European standards and amend any provisions within it that do not align with those standards.”

Në të njëjtën konferencë ai përsëriti se projekti turistik në Zvërnec do të bëhet.

Kërkesa e Parlamentit Evropian është shfuqizim (repeal).

Përgjigjja e qeverisë është përshtatje (amendment), me arsyetimin se “nuk ka çfarë të shfuqizohet”.

Kjo nuk është mospërputhje interpretimi. Është refuzim i drejtpërdrejtë i kërkesës, i shprehur publikisht, në praninë e Komisioneres për Zgjerimin që sapo kishte thënë se shfuqizimi ishte rënë dakord më parë.

Çfarë përmban në të vërtetë drafti i qeverisë

Ministria e Mjedisit i përcolli Komisionit Evropian draftin e parë të ndryshimit të ligjit, i cili u prezantua në tryezën e negociatave të Kapitullit 27 me ekspertët e Drejtorisë së Përgjithshme të Mjedisit. Dokumenti nuk u bë publik. Ai është tri faqe.

Sipas analizës së tij të botuar më 22 korrik 2026, ndryshimi i propozuar është, në thelb, përkthimi fjalë për fjalë i nenit 6 — paragrafët 3 dhe 4 — të Direktivës së Habitateve. Asgjë më shumë.

Drafti nuk prek:

  • ndërtimin e hoteleve me pesë yje dhe të strukturave akomoduese turistike brenda parqeve kombëtare;
  • heqjen e zonimeve të peizazheve;
  • heqjen e zonave buferike të monumenteve të natyrës;
  • lejimin dhe shtimin e veprimtarive ekonomike nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit — pra pikërisht kompetencën që Parlamenti Evropian e emërtoi shprehimisht në paragrafin 47.

Për më tepër, dispozita e vetme thelbësore që futet — neni 6, pika 4 i Direktivës së Habitateve — lejon realizimin e një projekti edhe pas një vlerësimi negativ, nëse ai justifikohet me “arsye detyruese të interesit publik madhor”, kundrejt masave kompensuese. Në duart e të njëjtit vendimmarrës të përshkruar në Arsyen 1, kjo dispozitë rrezikon të shërbejë jo si mbrojtje, por si bazë ligjore për të justifikuar pikërisht resortet që shkaktuan krizën.

Kuvendi i mban nismat në sirtar

Ndërkohë, në Kuvend ekzistojnë tashmë nisma të depozituara pikërisht për atë që kërkon BE-ja.

Data Nisma Statusi
14 maj 2026 Projektligj i deputetes Ina Zhupa për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 I depozituar; nuk është futur në shqyrtim
Nismë e dytë e Partisë Demokratike për të njëjtin qëllim E depozituar; nuk është futur në shqyrtim
Nisma të deputetit Redi Muçi (Lëvizja Bashkë) për shfuqizimin e “ligjeve me porosi”, përfshirë dispozitat e ligjit për zonat e mbrojtura Të depozituara; në sirtar

14 korrik 2026 — po atë ditë kur Komisionerja Kos kërkoi publikisht shfuqizimin — mazhoranca socialiste kundërshtoi futjen e nismës së deputetes Zhupa në rendin e ditës të komisionit parlamentar për Turizmin. Zhupa është kryetare e atij komisioni; nënkryetari socialist Erjon Malaj deklaroi se mazhoranca ishte kundër.

Deputetja Jorida Tabaku konstatoi se asnjë prej zotimeve të Kryeministrit nuk ishte reflektuar në kalendarin e punës së Kuvendit për javët e fundit të sesionit parlamentar. Sipas saj, ligji i investimeve strategjike është shtyrë gjashtë herë, dhe gjatë këtyre viteve ka të paktën 15 komunikime me Komisionin Evropian, delegacionin dhe Parlamentin Evropian ku theksohet se ai bie ndesh me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe prek Kapitullin 27.

Përse kjo çon domosdoshmërisht te referendumi

Argumenti i kësaj arsyeje nuk është se BE-ja duhet të vendosë për ligjet shqiptare. Është se çdo rrugë institucionale për të përmbushur një detyrim që vetë shteti shqiptar e ka pranuar, është e bllokuar.

Rruga Rezultati
Gjykata Kushtetuese Kërkesa e 37 deputetëve u rrëzua më 31.7.2025. Çështja e kompetencave u shpall jashtë juridiksionit.
Kuvendi Tri nisma për shfuqizim janë depozituar. Asnjëra nuk është futur në shqyrtim. Mazhoranca votoi kundër futjes në rend dite.
Qeveria Zotohet për “përshtatje”, jo shfuqizim. Deklaron publikisht: “nuk ka çfarë të shfuqizohet”.
Drafti qeveritar Tri faqe; nuk prek asnjë prej dispozitave që BE-ja i quan të papajtueshme.
Presioni ndërkombëtar Dy rezoluta të PE-së, raporti i KE-së, dy kërkesa të Konventës së Bernës, IUCN. Punimet vijuan.

Neni 150 i Kushtetutës parashikon se populli, nëpërmjet 50 000 shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji.

Fjala që përdor Kushtetuta është pikërisht fjala që përdor Parlamenti Evropian: shfuqizim.

Kur institucioni që duhet ta bëjë shfuqizimin refuzon ta fusë çështjen në rend dite, mjeti i mbetur nuk është protestë, as ankim, as pritje. Është vota e drejtpërdrejtë e zgjedhësve — i vetmi organ që Kuvendi nuk mund ta mbajë në sirtar.

Një referendum shfuqizues do të prodhonte pikërisht rezultatin që kërkon paragrafi 47 i rezolutës P10_TA(2026)0217, në formën që kërkon ai — shfuqizim, jo përshtatje — dhe do ta hiqte çështjen nga tryeza e negociatave si pengesë për mbylljen e Kapitullit 27.

Arsyeja 3 — Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis nuk funksionon si filtër

Pretendimi

Mbrojtja e mbetur pas ligjit 21/2024 mbështetet te një supozim: se përpara çdo ndërtimi do të kryhet një Vlerësim i Ndikimit në Mjedis (VNM) që do të kapë dëmet e papranueshme. Ky supozim nuk qëndron. Arkitektura ligjore e kërkon evidencën, por zbatimi mbetet i dobët.

Argumenti ka tri shkallë: VNM-të në Shqipëri janë sistematikisht të cilësisë së ulët; në rastet më të ndjeshme ato janë plagjiaturë; dhe në zonat e mbrojtura, në pjesën më të madhe, ato thjesht nuk ekzistojnë publikisht.

Shkalla e parë: gjendja e përgjithshme

Studimi i vetëm sistematik i cilësisë së VNM-ve në Shqipëri është ai i Melitjan Nezajt, botuar në Albanian Journal of Agricultural Sciences (2022). Ai shqyrtoi 200 raporte të hartuara gjatë vitit 2021 — 180 VNM paraprake dhe 20 të thelluara — nga 54 subjekte e ekspertë të ndryshëm, në të gjitha qarqet e vendit.

Gjetja themelore është se raportet hartohen zakonisht nga një ekspert i vetëm (68,5% e tyre, 137 raporte), i cili nuk mund të ketë njohuri për të gjitha aspektet që mbulon një VNM.

Biodiversiteti — aspekti më i rëndësishëm në zonat natyrore:

Kriteri Raporte që e plotësojnë
Metodologji studimi e florës dhe faunës 7,5%
Lista e specieve të identifikuara në zonë 14,5% (mungon në 85,5%)
Përshkrim i habitateve 27,5%
Marrja parasysh e specieve invazive 10%
Studim i terrenit i deklaruar 37,5%
Grup pune me biolog 8 raporte nga 200

Cilësia e përgjithshme:

Kriteri Raporte që e plotësojnë
Analizë e alternativave të zhvillimit 7,5%
Referim i burimeve të informacionit 13%
Trajtim i ndikimeve kumulative me projekte të tjera 18,5%
Të dhëna për ndikimin në ndryshimet klimatike ~12,5%
Metodologji parashikimi e vlerësimi 40%
Klasifikim i ndikimeve sipas rëndësisë nën 50%
Trajtim i aspektit social 23,5% (76,5% nuk e trajtojnë fare)

Studimi dokumenton edhe shenja të drejtpërdrejta fabrikimi: përsëritje të njëjta paragrafësh mes raportesh të hartuara nga i njëjti ekspert për vendndodhje dhe kategori veprimtarie krejt të ndryshme; të njëjtat lista flore e faune në zona të ndryshme; specie të renditura jashtë zonës së tyre të shpërndarjes — rrëqebulli i Ballkanit në ultësirën perëndimore, amfibë në mjedise urbane të thata; foto terreni që bien ndesh me tekstin; dhe analiza SWOT identike në të pesë raportet ku u gjet, “duke treguar se është fiktive”.

Për zonat e mbrojtura konkretisht: 50% e raporteve nuk e përcaktojnë distancën nga zona e mbrojtur dhe nuk japin as hartë pozicioni; 5 raporte pohojnë se projekti nuk ndërpritet me zona të mbrojtura ndërkohë që ndodhen brenda tyre. Raportet variojnë nga 13 deri në 638 faqe, dhe paragrafë të tërë përsëriten brenda të njëjtit raport “për të rritur fiktivisht numrin e faqeve”.

Shkalla e dytë: rasti — Vjosa

Rasti më flagrant i VNM-së në Shqipëri është Vjosa. Në projektet e Poçemit dhe Kalivaçit, VNM-të e pranuara nga institucionet ishin, sipas kritikave, mbi 60% të plagjiaturuara, të kopjuara nga projekte të tjera dhe pjesërisht duke iu referuar rajoneve krejt të tjera gjeografike, me vlerësime flore e faune që mungonin — e megjithatë morën përfundim pozitiv.

VNM-ja u shqyrtua nga shkencëtarë të Universitetit të Vjenës, Institutit Leibniz për Ekologjinë e Ujërave të Ëmbla dhe Peshkimin e Brendshëm (IGB) në Berlin, Universitetit të Lajpcigut dhe Universitetit të Tiranës. Përfundimi i tyre ishte se dokumenti nuk mund të parashikonte aspak ndikimet mjedisore të centralit.

“Ndikimet biologjike të një dige trajtohen në vetëm dhjetë rreshta, pa u përmendur as edhe një specie e vetme peshku.”

— Dr. Martin Pusch, Instituti Leibniz për Ekologjinë e Ujërave të Ëmbla dhe Peshkimin e Brendshëm (IGB), Berlin

Prof. Fritz Schiemer i Universitetit të Vjenës, i cili analizoi raportin, deklaroi se nuk kishte parë kurrë një VNM kaq të dobët, duke e cilësuar atë “farsë”. Prof. Aleko Miho i Universitetit të Tiranës e formuloi problemin si sistemik, jo si një raport i keq i vetëm.

Ky është një VNM i përdorur si kuti për t’u shënjuar, jo si input shkencor.

Pasoja gjyqësore. Në vitin 2017 Gjykata Administrative e Tiranës anuloi koncesionin e Poçemit pasi VNM-ja kishte dështuar të studionte si duhet ekologjinë e lumit — hera e parë që një gjykatë shqiptare anulonte një projekt hidrocentrali për arsye mjedisore. Mangësitë e VNM-së nuk ishin ankesë akademike; ato ishin baza ligjore mbi të cilën u rrëzua miratimi mjedisor i projektit.

Kontrasti. Meqenëse procesi zyrtar dështoi të prodhonte të dhëna reale, komuniteti shkencor i prodhoi vetë. Në javën e fundit të prillit 2017, rreth 30 shkencëtarë nga Shqipëria, Austria, Gjermania dhe Sllovenia kryen një javë kërkimi në terren në zonën e digës së planifikuar. Pasoi një ekspeditë biodiversiteti me rreth 40 ekspertë, dhe në 2018 gjetjet u botuan në një raport prej 385 faqesh — deri sot studimi më i plotë i Vjosës. Pra baza shkencore që VNM-ja zyrtare e kishte hequr ishte e mundur të prodhohej; thjesht askush nga institucionet nuk e kërkoi.

Shkalla e tretë: në zonat e mbrojtura, VNM-të nuk ekzistojnë publikisht

Për projektet e miratuara nga KKT/KKTU në zona të mbrojtura u kontrolluan të gjitha burimet publike: fondi i plotë i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit — 492 dokumente, prej të cilave 487 u shkarkuan dhe u lexuan në përmbajtje, me tekst ose OCR, jo thjesht sipas emrit të skedarit — dhe i gjithë regjistri i dëgjesave publike në portalin SIM, 98 zëra.

Çfarë u kërkua Rezultati
Kompani me leje të KKT/KKTU në zona të mbrojtura 212
Prej tyre me ndonjë VNM të publikuar 7
Prej tyre me VNM për projektin që iu miratua në zonën e mbrojtur 1
VNM për projekte turistike bregdetare në zonat e VKM 589–598 0
Zëra për “Zvërnec”, “Nartë” ose “Pishë Poro” në regjistrin e dëgjesave 0

I vetmi rast me përputhje të plotë është “H.K HEC Grabova 2”: deklarata mjedisore për hidrocentralin përkon me zonën e VKM 591 dhe me vendimin nr. 26 të KKT-së të 8 nëntorit 2024 për linjën elektrike të tij. Gjashtë rastet e tjera janë VNM për projekte krejt të ndryshme të të njëjtit subjekt — gurore, hidrocentrale ose ndërtesa në Tiranë — jo për projektin bregdetar që u miratua.

Njëzet e një kompani në zonat e VKM 589–598 nuk kanë asnjë VNM të publikuar, përfshirë të gjitha kompanitë e Zvërnecit.

Regjistri i ri i dëgjesave publike fillon më 25 mars 2026. Nuk ekziston asnjë zë më i hershëm. Kjo do të thotë se për të gjithë periudhën 2024 – fillim 2026 — pikërisht kur u dhanë lejet — nuk ka pasur regjistër publik funksional të konsultimeve mjedisore.

Kufiri i kësaj gjetjeje. Mungesa e një VNM-je në regjistrat publikë nuk provon vetvetiu se ajo nuk ekziston: dokumenti mund të jetë depozituar dhe të mos jetë publikuar.

Ajo që provohet me siguri është se publikimi nuk ka ndodhur, ndonëse e kërkojnë ligji për të drejtën e informimit dhe Konventa e Aarhusit, në të cilën Shqipëria është palë prej vitit 2000 (ligji nr. 8672, datë 26.10.2000).

Përmbysja e renditjes: rasti i Zvërnecit

Data Ngjarja
30.03.2026 KKTU shqyrton lejen e zhvillimit “Zvërnec Peninsula” (1–8 kate, marina)
29.04.2026 KKTU shqyrton lejen e rrethimit dhe punimeve përgatitore; punimet nisin
05.05.2026 Zhvilluesi sapo tani aplikon për procedurën e VNM-së
15.05.2026 Vendoset që projekti t’i nënshtrohet VNM-së së thelluar — niveli më i lartë i kontrollit mjedisor në legjislacionin shqiptar
Gusht 2026 VNM-ja ende e papublikuar. Punimet raportohen të pezulluara pas shqetësimit të ngritur nga Komisioni Evropian

Vlerësimi mjedisor erdhi pas lejeve dhe pas nisjes së punimeve, jo përpara tyre. Fakti që institucioni vendosi më pas se projekti kërkonte VNM të thelluar — kategoria më e lartë — tregon se ndjeshmëria mjedisore ishte e njohur. Ajo thjesht nuk u vlerësua në kohën kur do të kishte pasur ndikim në vendim.

Përse kjo e bën referendumin të domosdoshëm

Mbrojtësit e ligjit 21/2024 argumentojnë se ai nuk heq mbrojtjen, por vetëm i kalon vendimet te një procedurë e mirëpërcaktuar me kritere të qarta. Ky argument varet plotësisht nga funksionimi i VNM-së si filtër.

Të dhënat tregojnë të kundërtën: një instrument që në 92,5% të rasteve nuk përdor asnjë metodologji për florën dhe faunën, që në 85,5% të rasteve nuk liston asnjë specie, dhe që në zonat e mbrojtura nuk publikohet fare, nuk është filtër. Ligji 21/2024 hoqi ndalimin e drejtpërdrejtë dhe e zëvendësoi me një garanci që nuk ekziston në praktikë.

Arsyeja 4 — Bashkë me ligjin e investimeve strategjike: kalimi i tokës publike te privati

Pretendimi

Ligji 21/2024 nuk vepron i vetëm. I lexuar bashkë me ligjin nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, ai plotëson hallkën e fundit që mungonte në një mekanizëm të kompletuar: shteti mund t’i japë tokën e vet publike një investitori privat, ta shpronësojë tokën private përreth për llogari të tij, t’i japë të drejtën e përdorimit të bregdetit — dhe tani, pas ligjit 21/2024, ta bëjë këtë edhe brenda një zone të mbrojtur.

Çfarë lejon ligji 55/2015

Neni 27 — Përdorimi i pasurive të paluajtshme shtetërore:

“Në dispozicion të zhvillimit dhe realizimit të projekteve investuese strategjike, sipas këtij ligji, mund të vihen trojet, pyjet, tokat bujqësore, si dhe pasuritë e tjera të paluajtshme, në pronësi të shtetit shqiptar.”

Mënyra e vënies në dispozicion rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 28 — Shpronësimet për interes publik. Për projektet me statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë” lejohet shpronësimi për interes publik i pronarëve privatë. Kompensimi mbulohet nga subjekti privat që ka paraqitur kërkesën — pra shteti vë në lëvizje pushtetin e vet të shpronësimit në shërbim të një projekti privat.

Neni 29 — E drejta e përdorimit të brigjeve:

“Lejimi i përdorimit të brigjeve të detit, liqeneve, lumenjve dhe shtretërve të tyre, si dhe zonave përkatëse, në funksion të realizimit të një projekti investues strategjik, miratohet me vendim të veçantë nga Këshilli i Ministrave, me propozim nga Komiteti i Investimeve Strategjike.”

I njëjti person, hatja e tretë

Neni 9 i ligjit 55/2015 përcakton:

“Krijohet Komiteti i Investimeve Strategjike, organ administrativ kolegjial pranë Këshillit të Ministrave, i cili kryesohet nga Kryeministri.”

Komiteti miraton projektet me status strategjik dhe propozon dhënien e tokës publike e të drejtës së përdorimit të brigjeve.

Kjo e plotëson skemën e Arsyes 1 me një hallkë të tretë:

Organi Vendos për Kryesuesi
Këshilli i Ministrave Shpalljen e zonës së mbrojtur dhe veprimtaritë e lejuara në të (neni 33, ligji 81/2017 i ndryshuar) Kryeministri
Këshilli Kombëtar i Territorit / KKTU Lejet e zhvillimit dhe të ndërtimit (neni 7, ligji 107/2014) Kryeministri
Komiteti i Investimeve Strategjike Statusin strategjik, tokën publike, të drejtën e brigjeve (nenet 9, 27, 29, ligji 55/2015) Kryeministri

Tri organe. Tri funksione që në një sistem me ndarje pushtetesh do të ishin të ndara: rregullatori, lejedhënësi dhe pronari që disponon pasurinë publike. Një kryesues i vetëm.

Sa tokë publike ka kaluar

Të dhënat e disponueshme për zbatimin e ligjit 55/2015 tregojnë përmasat.

Treguesi Vlera
Subjekte me status “investitor strategjik” (2016–2026) 55
Projekte të miratuara (deri 2023) 44
Prej tyre investime tërësisht të huaja 2
Tokë publike e dhënë investitorëve strategjikë ~5,8 milionë m²
Prej saj në bregdetin e jugut ~1,6 milionë m²
Tokë publike e shpërndarë vetëm në qarkun e Vlorës ~1 000 ha
Projekte në turizëm / pasuri të paluajtshme 39 nga 55 (70%)

Ligji u miratua për të tërhequr investime të huaja. Nga 44 projektet e miratuara deri në 2023, vetëm 2 ishin tërësisht të huaja. Departamenti amerikan i Shtetit ka vërejtur se pjesa më e madhe e projekteve u kanë shërbyer kompanive vendase me lidhje të forta politike. Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri e ka cilësuar procesin e përzgjedhjes së investitorëve strategjikë si “disi jotransparent”, veçanërisht në jug të vendit.

Mbivendosja me zonat e mbrojtura

Mbivendosja mes investimeve strategjike dhe zonave të mbrojtura është dokumentuar që përpara ligjit 21/2024. Një analizë e vitit 2021 identifikoi se 4 nga 17 projektet e miratuara si investime strategjike ndodheshin brenda ose pranë zonave të mbrojtura natyrore, mes tyre:

  • Kepi i Stillos, poshtë fushës së Butrintit — resort luksoz me 636 vila të parashikuara;
  • Gjiri i Manastirit;
  • zona të Sazanit dhe Zvërnecit.

Kjo do të thotë se presioni për të ndërtuar në këto zona ekzistonte tashmë, dhe se pengesa e vetme që e mbante të bllokuar ishte ndalimi ligjor te ligji 81/2017. Ligji 21/2024 e hoqi atë pengesë.

Si mbyllet cikli

Hapi 1. Ligji 21/2024 heq ndalimin e ndërtimit brenda zonave të mbrojtura dhe shfuqizon nënzonat, duke ia lënë përcaktimin e veprimtarive të lejuara Këshillit të Ministrave.

Hapi 2. Këshilli i Ministrave rishpall zonën në kategorinë V — kategorinë më lejuese — me VKM, dhe përcakton në po atë akt se çfarë lejohet brenda saj.

Hapi 3. Komiteti i Investimeve Strategjike i jep projektit statusin strategjik dhe propozon vënien në dispozicion të tokës publike dhe të drejtën e përdorimit të bregut.

Hapi 4. KKT/KKTU jep lejen e zhvillimit dhe lejen e ndërtimit.

Hapi 5. VNM-ja, nëse bëhet, vjen më pas — dhe nuk publikohet.

Hapat 1–4 kalojnë të gjithë nëpër organe që kryesohen nga i njëjti person. Hapi 5 është hallka që supozohej se do të mbronte interesin publik, dhe të dhënat e Arsyes 3 tregojnë se ajo nuk funksionon.

Pse çështja është urgjente

Ligji nr. 55/2015 nuk është i përjetshëm. Afati për paraqitjen e kërkesave është shtyrë disa herë; me ligjin nr. 8/2025 ai u zgjat deri më 31 dhjetor 2026. Qeveria po përgatit një ligj të ri për investimet strategjike, i cili pritej të kalonte në konsultim publik gjatë verës 2026.

Kjo krijon një situatë të dyfishtë. Nga njëra anë, ekziston një afat i afërt që nxit paraqitjen e kërkesave përpara mbylljes së dritares. Nga ana tjetër, mekanizmi i tokës publike nuk zhduket me skadimin e ligjit aktual — ai kalon në ligjin pasardhës, përmbajtja e të cilit ende nuk dihet.

Ndërkohë ligji 21/2024 mbetet në fuqi pa afat. Ai është elementi i qëndrueshëm i skemës. Prandaj ai është edhe objekti i duhur i një referendumi shfuqizues.

Përfundim

Katër arsyet nuk janë të pavarura nga njëra-tjetra. Ato përshkruajnë të njëjtin mekanizëm nga katër kënde.

Ligji 21/2024 hoqi ndalimin dhe ia dorëzoi vendimin një zinxhiri institucional që në krye ka një person të vetëm. Kjo është arsyeja e parë.

Bashkimi Evropian e ka kërkuar zyrtarisht shfuqizimin e këtij ligji — dy rezoluta radhazi të Parlamentit Evropian, raporti i Komisionit që konstaton se ndryshimet “çuan në shpërbërjen e mbrojtjes”, dhe një piketë mbyllëse e Kapitullit 27 — ndërkohë që qeveria përgjigjet se “nuk ka çfarë të shfuqizohet” dhe Kuvendi nuk i fut në rend dite nismat përkatëse. Kjo është arsyeja e dytë.

Mbrojtja e mbetur, VNM-ja, nuk funksionon: 7,5% e raporteve përdorin metodologji për florën dhe faunën, 85,5% nuk listojnë asnjë specie, dhe në zonat e mbrojtura vetëm një kompani nga 212 ka VNM të publikuar për projektin që iu miratua. Kjo është arsyeja e tretë.

Dhe bashkë me ligjin e investimeve strategjike, e gjitha kjo mbyllet në një transferim të tokës publike — 5,8 milionë metra katrorë deri tani — te investitorë privatë, i miratuar nga një komitet i tretë që kryesohet nga i njëjti person. Kjo është arsyeja e katërt.

Asnjë prej këtyre çështjeve nuk është shqyrtuar në themel nga një organ i pavarur. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi kërkesën për shfuqizim me shumicë votash, me tre gjyqtarë në pakicë, dhe deklaroi shprehimisht se çështja e përqendrimit të kompetencave nuk hyn në juridiksionin e saj.

Neni 150 i Kushtetutës parashikon se populli, nëpërmjet 50 000 shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji. Mbrojtja e mjedisit nuk përfshihet në asnjë prej përjashtimeve të nenit 151.

Ligji 21/2024 ndryshoi regjimin e 21,5% të territorit të Republikës. Ai u miratua tri ditë pas shqyrtimit në komisionin përgjegjës, me një tekst që — sipas tre gjyqtarëve kushtetues — ishte ndryshuar rrënjësisht nga Këshilli i Ministrave pasi konsultimi publik kishte përfunduar.

Një ligj i miratuar pa konsultim të mirëfilltë, i pashqyrtueshëm në thelbin e tij nga gjykata, që prek një të pestën e vendit dhe që prodhon pasoja të pakthyeshme, është pikërisht rasti për të cilin Kushtetuta parashikoi referendumin shfuqizues.

Shtojca A — Burimet

Burime ligjore

Akti Përmbajtja
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nenet 56, 100, 150, 151, 152 E drejta e informimit për mjedisin; Këshilli i Ministrave; referendumi
Ligji nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura” Ligji bazë
Ligji nr. 21/2024 Ligji ndryshues — Fletorja Zyrtare nr. 50, datë 20.3.2024
Ligji nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” Nenet 3(13) dhe 7 — KKT-ja dhe kompetencat e saj
Ligji nr. 55/2015 “Për investimet strategjike” Nenet 9, 27, 28, 29
Ligji nr. 8672, datë 26.10.2000 Ratifikimi i Konventës së Aarhusit
Ligji nr. 10440, datë 7.7.2011 “Për VNM-në”, i ndryshuar Kuadri i vlerësimit të ndikimit në mjedis
VKM 589–598, datë 25.9.2024 Rishpallja e dhjetë zonave të mbrojtura
Vendim i Gjykatës Kushtetuese nr. 45, datë 31.7.2025 Rrëzimi i kërkesës për shfuqizimin e ligjit 21/2024

Burime të Bashkimit Evropian dhe ndërkombëtare

Dokumenti Referenca dhe data
Rezolutë e Parlamentit Evropian mbi Raportin e Komisionit për Shqipërinë 2025 P10_TA(2026)0217, 17 qershor 2026; procedura 2025/2250(INI); raporti A10-0141/2026, raportues Andreas Schieder. Paragrafët 45, 47, 48, 49
Rezolutë e Parlamentit Evropian mbi Raportet e Komisionit për Shqipërinë 2023 dhe 2024 P10_TA(2025)0155, 9 korrik 2025; procedura 2025/2017(INI). Paragrafët 53, 54, 56, 57
Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë 2025 SWD(2025)0750, 4 nëntor 2025, shoqërues i COM(2025)0690. Kapitulli 27
Direktiva e Habitateve 92/43/KEE, neni 6, pikat 3 dhe 4
Direktiva e Zogjve 2009/147/KE
Direktivat e VNM-së dhe VSM-së 2011/92/BE dhe 2001/42/KE
Konventa e Bernës Kërkesa të Komitetit të Përhershëm, dhjetor 2023 dhe dhjetor 2024
Konferenca e IX Ndërqeveritare Shqipëri–BE Bruksel, 14 korrik 2026; deklarata të Komisiones Marta Kos dhe të Kryeministrit Edi Rama

Burime dokumentare të hulumtimit

Burimi Vëllimi
Agjencia e Zhvillimit të Territorit (azht.gov.al) — vendime KKT/KKTU 588 vendime, të lexuara me OCR
AZHT — njoftime mbledhjesh 38 rende dite (2021–2026), 1 758 pika
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (akzm.gov.al) VKM 589–598
Agjencia Kombëtare e Mjedisit (akm.gov.al) 492 dokumente VNM; 487 të lexuara në përmbajtje
Portali SIM i AKM-së (sim.akm.gov.al) 98 zëra dëgjesash publike
Qendra e Botimeve Zyrtare (qbz.gov.al) 48 181 akte, kërkuar nëpërmjet API-t publik

Literaturë shkencore

  • Nezaj, M. (2022). Quality Review of EIAs (Environmental Impact Assessments) in Albania. Albanian Journal of Agricultural Sciences, 21(1): 1–14. Universiteti Bujqësor i Tiranës.
  • Vjosa 385-page biodiversity report, Acta ZooBotanica Austria (2018).
  • Vlerësime kritike të VNM-së së Poçemit nga Universiteti i Vjenës, Instituti Leibniz IGB Berlin, Universiteti i Lajpcigut dhe Universiteti i Tiranës; raportime të EcoAlbania, EuroNatur, Riverwatch dhe Bankwatch.