Ku jemi tani: Në pritje të konfirmimit nga KQZ-ja Shiko procesin
← Kthehu në faqen kryesore

Si nisi kjo nismë?

Nga një thirrje qytetare te grupi nismëtar.

Nisma lindi nga bashkimi i aktivistëve në Shqipëri dhe qytetarëve shqiptarë nga diaspora, me bindjen se mbrojtja e natyrës dhe demokracia e drejtpërdrejtë nuk mund t'u delegohen vetëm partive politike.

Hapi i parë ishte formimi i një grupi prej të paktën 12 zgjedhësish të regjistruar për të nënshkruar dhe depozituar kërkesën në KQZ. Thirrja kërkoi njerëz me profil apartiak, kurajë civile, reputacion të mirë dhe pa konflikte interesi.

Grupi u mendua mbi katër shtylla përfaqësimi: pjesëmarrës të protestës dhe aktivistë; shoqëri civile mjedisore; shqiptarë nga diaspora; dhe figura publike me integritet. Nismëtarët angazhohen për ndershmëri, pavarësi, transparencë, vendimmarrje kolegjiale dhe shpërbërjen e nismës pas përfundimit të referendumit.

Çfarë synon të arrijë kjo nismë?

01

Presion institucional

Deklaratat e Kryeministrit nuk përmbajnë asnjë afat apo garanci konkrete, ndaj pa një mekanizëm shtesë presioni procesi rrezikon të zvarritet sipas interesave politike të momentit. Referendumi është një instrument kushtetues që ushtron presion të drejtpërdrejtë juridik mbi institucionet, duke plotësuar protestën. Përvoja e vitit 2012 e tregoi këtë: vetëm mbledhja e firmave e detyroi Parlamentin ta shfuqizonte ligjin përpara se referendumi të zhvillohej.

02

Fuqizim qytetar

Referendumi është një e drejtë kushtetuese e vullnetit qytetar — jo thjesht një votë çdo katër vjet — dhe qytetarët në Shqipëri nuk e kanë ushtruar KURRË vetë. Procesi i mëson ata të organizohen, të bashkëpunojnë dhe të veprojnë si forcë bashkëqeverisjeje e pavarur nga partitë. Me vetëm 3 referendume të zhvilluara (të gjitha të iniciuara nga partitë), ky është momenti për ta kthyer këtë përvojë në mësim dhe në forcë për të ardhmen.

03

Provë për sistemin

Referendumi është e vetmja formë e drejtpërdrejtë vendimmarrjeje që garanton Kushtetuta, por kur kushtet janë praktikisht të paarritshme, ai mbetet një e drejtë vetëm formale (de jure) e jo reale (de facto). Pragu prej 33% pjesëmarrje dhe kriteri i 50.000 firmave janë joproporcionalë — mjafton të kujtojmë se Parlamenti u zgjodh me 44% pjesëmarrje dhe se një mandat deputeti kërkonte rreth 12.000 vota. Nisma i evidenton këto pengesa dhe hap rrugën për t'iu drejtuar, nëse duhet, institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare të demokracisë.

Profili i grupit nismëtar

12 cilësitë për 12 nismëtarët

Për të garantuar besueshmërinë, integritetin dhe karakterin tërësisht qytetar të nismës, 12 nismëtarët duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

  1. 01

    Të jenë qytetarë apartiakë, pa funksione drejtuese apo përfaqësuese në parti politike gjatë mandatit të kësaj nisme.

  2. 02

    Të jenë qytetarë aktivë, duke përfaqësuar komunitetin, profesionet, akademinë, sipërmarrjen, aktivizmin qytetar ose diasporën, dhe jo struktura partiake.

  3. 03

    Të kenë integritet të lartë moral dhe publik, me reputacion të mirë në komunitetin ku jetojnë dhe veprojnë.

  4. 04

    Të kenë një histori të dokumentuar aktivizmi qytetar, kontributesh publike ose angazhimi në çështje të interesit shoqëror dhe kombëtar.

  5. 05

    Të mos kenë precedentë penalë, të mos jenë dënuar për vepra penale dhe të mos jenë subjekt i proceseve që cenojnë besueshmërinë e tyre publike.

  6. 06

    Të mos kenë konflikte interesi që mund të ndikojnë në pavarësinë e vendimmarrjes së tyre.

  7. 07

    Të nënshkruajnë një Pakt Angazhimi, me të cilin marrin përsipër ta çojnë procesin e referendumit deri në përfundimin e tij, me përkushtim dhe përgjegjësi.

  8. 08

    Të respektojnë etikën e komunikimit publik, duke promovuar dialogun, respektin, transparencën dhe refuzimin e gjuhës së urrejtjes, shpifjes apo përçarjes.

  9. 09

    Të udhëhiqen nga parime të larta kombëtare, duke vendosur interesin publik, sovranitetin, demokracinë, shtetin e së drejtës dhe mirëqenien e qytetarëve mbi çdo interes personal apo grupor.

  10. 10

    Të angazhohen për transparencë të plotë, duke informuar rregullisht publikun mbi ecurinë e nismës dhe vendimmarrjet kryesore.

  11. 11

    Të marrin vendime në mënyrë kolegjiale, duke respektuar mendimin e shumicës dhe duke shmangur kultin e individit apo përqendrimin e kompetencave.

  12. 12

    Të jenë të përgjegjshëm dhe llogaridhënës ndaj qytetarëve, duke pranuar të japin shpjegime publike për vendimet, veprimet dhe qëndrimet e marra gjatë gjithë procesit të referendumit.

Angazhimi i nënshkruar

Deklaratat e nismëtarëve

Deklarata I

Deklarata I e Nismëtarëve

“Ne, nismëtarët e kësaj nisme qytetare për referendum, angazhohemi të veprojmë me ndershmëri, pavarësi, transparencë dhe përgjegjësi publike. Vendosim interesin kombëtar dhe vullnetin e qytetarëve mbi çdo interes personal, partiak apo grupor dhe zotohemi ta çojmë këtë proces deri në përfundimin e tij, duke respektuar Kushtetutën, ligjin dhe parimet demokratike.”
Deklarata II

Deklarata II e Nismëtarëve

“Ne, nismëtarët e kësaj nisme qytetare, deklarojmë se kjo nismë është tërësisht qytetare dhe e pavarur dhe nuk do të përdoret apo kanalizohet, në asnjë fazë të saj, për krijimin, mbështetjen ose promovimin e subjekteve politike apo interesave partiake. Me përfundimin e procesit të referendumit, pavarësisht rezultatit të tij, kjo nismë do të konsiderohet e përmbushur dhe do të shpërbëhet, pa vijuar aktivitet në asnjë formë organizative apo politike.”